Sileksi me Zhikica Tasevskin si trajner pjesën e parë të sezonit 2017/2018 e mbylli në pozitën e tretë në LPFM, duke bërë me dije se është një ndër skuadrat më serioze për të kapur Europën.
Ata zhvilluan një super gjysëmsezon duke grumbulluar plotë 31 pikë, ndërsa besojnë se me disa përforcime cilësore dhe të qëlluara edhe në përfundim të kampionatit të mbeten në këtë pozitë.
Drejtuesit e skuadrës nga Kratova veçmë kanë bërë hapin e parë në këtë drejtim, duke angazhuar ish futbollistin e tyre Gjorgji Tanushev, i cili pas 6 muajve të kaluara te Boreci në Ligën e Dytë, sërish rikthehet në Kratovë.
Mesfushori 26-vjeçar ka nënshkruar kontratë 6 mujore, ndërsa me të mesfusha e Sileksit do të përfitojë në konkurrencë. Ditëve në vijim pritet edhe ndonjë prurje tjetër e re te kjo skuadër, që shpreson të rikthehet në garat evropiane pas një viti pushim.
Startin e përgatitjeve për stinorin pranveror nga kjo skuadër e kanë paraparë të ndodh me 7 janar, ndërsa nga data 22 janar ata do të udhëtojnë drejt Antalisë në Turqi, ku edhe kanë caktuar disa ndeshje kontrolluese, përmes së cilave trajneri Zhikica Tasevski do të krijoj një fotografi më të mirë rreth formacionit bazë me të cilin do ti zhvillojë pjesën më të madhe të ndeshjeve në gjysmësezonin e dytë.