Renova është tërhequr nga gara për të transferuar kamerunasin me pasaportë franceze, Emanuel Mbella, njofton “infOSport.mk”. Skuadra nga Xhepçishti te ish sulmuesi i FC Shkupit shihte zëvendësim adekuat për të larguarin Argjent Gafuri, mirëpo kërkesat e larta dhe paga që ka kërkuar Mbella, kanë bërë që Renova të ndërpresë bisedimet me menaxherin e futbollistit në fjalë.
“Renova nuk është në garë për Mbellan. Ata ndërprenë bisedimet për shkak çmimit të futbollistit. Gjithashtu edhe Gjilani u tërhoq nga gara, ndërsa në bisedimet për shërbimet e klinetit tim janë shfaqur së fundmi edhe Rabotniçki dhe Sileksi. Dy skuadra këto që pretendojnë Europën, ashtu që mbetet të shohim nëse do gjejmë ndonjë gjuhë të përbashkët” – tha enkas për “infOSport.mk” menaxheri i kamerunasit, Blerim Sadiku.
Rikujtojmë përveç këtyre dy skuadrave të lartëpërmendura, nga Maqedonia si skuadra që mund të vijnë deri tek shërbimet e Mbellas përmenden edhe dy skuadrat më të mira të vendit, Shkëndija dhe Vardari, ndërkohë nga Kosova, është Llapi që dëshiron të bëjë për vete sulmuesin 25-vjeçar. Gjithashtu së fundmi interesim për Mbellan kanë shfaqur edhe Partizani i Tiranës dhe Flamurtari i Vlorës. Mbetet të shihet se cili do të jetë destinacioni i rradhës i ish sulmuesit të skuadrës së FC Shkupit, që sipas menaxherit të tij do të bëhet i ditur deri në fundin e kësaj jave.