Trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro në një intervistë për “vipsport” ka konfirmuar transferimin e futbollistit shkupjan, Fisnik Zuka. Edhe pse ky i fundit ka kontratë me FC Shkupin edhe një vit e gjysmë, Duro thotë se me Zukën ka mbyllur merkaton e dimrit, duke çuar në katër numrin e përforcimeve gjatë këtij afati kalimtarë.
“Besoj se po. Me ardhjen e lojtarit Zuka, them se e kemi mbyllur merkaton e dimrit. Madje, e pranoj se edhe 4 lojtarë të afruar janë shumë në një merkato dimri. E kemi forcuar ekipin, ndërkohë që na rikthehet edhe mbrojtësi Veliu nga dëmtimi” – është shprehur Duro për “Vipsport”.
Rikujtojmë gjatë këtij afati kalimtarë të dimrit Flamurtari transferoi ish sulmuesin e Sileksit, Igor Nedeljkoviç, i cili erdhi nga rradhët e skuadrës së Pegasus Hong Kong, pastaj ish mesfushorin e Rabotniçkit, Muarem Muarem, që në Vlorë zbarkoi nga rradhët e skuadrës kazake të Aktobe, ndërsa së fundmi kjo skuadër arriti që të bind edhe futbollistin e Renovës, Argjent Gafuri.