Intervistë për “infOSport.mk”, Argjend Beqiri: Ka ardh koha që Shkëndija të bëhet kampion

Liga e Parë Futbollistike e Maqedonisë aktualisht ndodhet në pushim. Në 18 javë të zhvilluara Shkëndija dhe gjitha skuadrat tjera dhanë maksimumin, mirëpo ishte skuadra tetovare e udhëhequr nga Qatip Osmani që në fund tuboi më shumë pikë se gjitha skuadrat tjera.

Legjenda e FC Shkupit, Argjend Beqiri, në një intervistë për “infOSport.mk” jep parashikimin e tij, duke folur se cila skuadër është më afër titullit kampion, dallimin mes futbollit kur ai ishte pjesë e saj dhe futbollit të sotshëm në vendin tonë, ndërsa gjithashtu foli veç e veç për secilën skuadër pjesëmarrëse në elitën e futbollit.

“infOSport.mk”: Argjend, si ju duket gara gjatë gjysmësezonit të parë në LPFM?

Argjend Beqiri: “Gara gjatë gjysmësezonit të parë në LPFM ka qenë në nivel të mirë, por jo shkëlqyeshëm. Përveç dy klubeve, Shkëndijës dhe Vardarit, në disa klube ka ndikuar edhe çështja financiare e cila është primare për në klube, por megjithatë ekipet kanë treguar karakter dhe kanë trguar lojra të mira. Besoj se pjesa tjetër do jetë edhe më e mirë, dhe me më tepër përgjegjësi për shkak se në fund vendoset kush do të dalë në Europë, dhe kush do të kalojë në Ligën e Dytë.

“infOSport.mk”: Mendoni se renditja e këtij gjysmësezoni është reale?

Argjend Beqiri: “Renditja në pjesën e parë mendoj se është reale, por disa klube mund edhe më tepër të japin kontribut që të jenë të pozicionuar më mirë, por siç thash ka ndikuar pjesa e financave”.

“infOSport.mk”: Mendoni se ka ardhur koha që Shkëndija të ndal dominimin e Vardarit?

Argjend Beqiri: “Unë jam i bindur se ka ardhur koha që Shkëndija të bëhet kampion sivjet dhe Vardari të jetë i dyti. Shkëndija është në favor nga të gjitha aspektet, kështu që nëse nuk dalin kampion këtë sezonë do jete mëkat, por besoj se Shkëndija do jetë kampion”.

“infOSport.mk”: Një mendim për çdo ekip pjesëmarrës të kampionatit. Le të fillojmë nga Shkupi i juaj…për të vijuar më pas me rradhë sipas renditjes? Shkëndija, Vardari, Sileksi, Akademia Pandev, Rabotniçki, Pobeda, Renova, Pelisteri, Skopje.

Argjend Beqiri: “Shkupi është ekipi në të cilin kam luajtur unë dhe kam respekt.  Edhe për shkak financave jo të mjaftueshme Shkupi ka rezultate të mira, pasi ata kanë një ekip kolektiv që luftojnë për njëri tjetrin, dhe e dyta gjë grupi i tyre i tifozëve “Shvercerat” në çdo ndeshje janë lojtari i  tyre i 12-të”.

SHKËNDIJA

Shkëndija këtë sezon do jetë kampion i LPFM-së. Është një ekip i kompletuar me një staf teknik profesional dhe normal kompania “Ekolog” mbështetës i fuqishëm i klubit, mos harrojmë këtu edhe grupin e tifozëve “Ballistët” që në çdo ndeshje i japin përkrahje maksimale klubit”.

VARDARI

Vardari punën më të madhe e ka bërë që u kualifikua në grupet e Liga Europa, suksesi ky më i madh i deritanishëm i klubit. Ne kampionat do jetë në vendin e dytë pas Shkëndijës, pasi mendoj se skuadra tetovare për momentin është skuadër më e mirë, pa dyshim.

SILEKSI

“Sileksi është ekip i vjetër i cili me eksperiencën që ka, gjatë vite luan në ligën e parë, nuk besoj se do të ketë probleme për të qenë pjesë e elitës, kështu që është ekip mesatar”.

AKADEMIA PANDEV

“Akademia Pandev ekip i ri në ligën e parë, besoj se kanë arritur mjaft sukses për momentin aty ku gjenden, duke pasur parasysh se është viti i tyre debutues në Ligën e parë”.

RABOTNIÇKI

“Rabotniçki ka ngecje, besoj kjo edhe prej viteve tjera. Nuk investon shumë por luan me futbollistë që dalin prej shkollës së të rinjëve, kështu që këtë vit nuk besoj se do të dalin në Europë”.

POBEDA, RENOVA, PELISTERI, SKOPJE

Pobeda, Renova, Pelisteri, Skopje do kenë probleme dhe besoj se do të luftojnë për mbijetesë në Ligën e parë, edhe pse mendoj se Renova do t’ia dalë dhe do mbetet pjesë e elitës.

“infOSport.mk”: Një paralele mes futbollit kur edhe juve keni qenë futbollist aktiv dhe futbollit të tanishëm. Cili është dallimi?

Argjend Beqiri: “Dallimi në mes kohës qe luanim ne dhe futbollit të sotshëm është se atë kohë kur edhe unë isha pjesë e saj gati se gjitha ekipet ishin të  fuqishme dhe kishte ndeshje shumë të forta, kurse tani ka vetëm 2-3 ekipe të fuqishme, ndërsa pjesa tjetër janë ekipe mesatare. Përparësia e vetme tani është se futbollistët e sotshëm kanë më shumë hapësira për tu transferuar jashtë vendit”.

Ekipi i Sloga Jugomagnatit që shkroi historinë duke u bërë skuadra e parë nga Maqedonia që kaloi turin e parë eliminatorë në Ligën e Kampionëve. Rendi poshtë nga e djathta në të majtë: Argjend Beqiri, Refik Arifi, Nebi Mustafi, Esad Çolakoviç, Arsim Abazi; Rendit lartë, nga e djathta në të majtë: Nexhmedin Memedi, Gogo Jovçev, Sasho Zdravevski, Zoran Miserdovski, Feim Beganoviç, Masar Omeragiç.

Leave a Reply