Dy futbollistët austriak, Dejan Ljubiçiç dhe Daniel Sudar janë arrestuar në Bosnje e Hercegovinë, pasi të njëjtit kishin qenë autorë të një vepre shumë të shëmtuar.
Ljubiçiç dhe Sudar të cilët arritën për pushime në Kiseljak, ndaluan automjetin e tyre të markës “Mercedes” pranë xhamisë së qytetit, duke hedhur disa shishe prej qelqi, ku edhe i shkaktuan disa dëme të vogla fasadës së xhamisë.
Pas sulmit, i cili ishte regjistruar nga ana e kamerave të vendosura aty pranë, policia ndaloi automjetin të enjten në mbrëmje dhe legjitimoi të dy shtetasit austriakë. Ata para policisë boshnjake pranuan veprën e bërë. Për këtë vandalizëm nga ana e këtyre dy futbollistëve është informuar edhe prokurori, i cili po merr masat e duhura dhe veprimet ligjore.
Dejan Ljubiçiç është një futbollist i Rapid Vienës, për të cilën skuadër gjatë këtij edicioni ka regjistruar 14 paraqitje dhe dy gola të shënuar në Bundesligën austriake.
Ai gjithashtu është edhe pjesë e Kombëtares U21 të Austrisë, me të cilën më 14 nëntor kishte luajtur në Shkup ndaj Maqedonisë, në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret e Europianit të vitit 2019-të që do të mbahet në Itali. Ai në atë ndeshje në lojë ishte inkuadruar në minutën e 68-të, ndërsa Austria kishte shënuar fitore 4:0.
Ndërkohë sa i përket futbollistit të dytë të akuzuar në këtë rast, Daniel Sudar, ai aktualisht është pjesë e skuadrës së Viener Nojshtadt II.