Shkëndija sot edhe zyrtarisht është ndarë me tre futbollistë të saj, ndërsa paralelisht drejtuesit e skuadrës tetovare janë duke punuar edhe në afrimin e futbollistëve të rinj, njofton “infOSport.mk”. Një ndër emrat që përmendet si përforcim i Shkëndijës, është futbollisti kumanovar, Naser Aliji, që njëkohësisht është edhe pjesë e Kombëtares shqiptare të futbollit.
24-vjeçari aktualisht është një futbollist i lirë pas shkëputjes së kontratës me Kajzerslauternin gjerman, pjesë e së cilës ishte deri me 31 gusht të këtij viti.
Ai 4 muajt e fundit është stërvitur në mënyrë individuale, vetëm për të mbajtur formën e duhur, ndërsa një transferim te Shkëndija do të zgjidhte çështje e skuadrës së tij të re, edhe pse për shërbimet e tij interesohen edhe disa skuadra nga Superliga e Zvicrës, përfshirë këtu edhe Cyrihun.
Rikujtojmë gjatë ditës së sotme Shkëndija konfirmoi ndarjen me portierin Ilir Avdyli, mesfushorin Stefan Vujçiç dhe mbrojtësin e krahut të majtë Ivan Çelikoviç. Pikërisht Aliji mund të jetë edhe futbollisti i rradhës që mund të mbulojë këtë pozitë!?Pse jo…Kur është në pyetje Shkëndija dhe Lazim Destani, atëherë gjithçka është e mundur!