Xhenk Tosun edhe zyrtarisht nga janari do të veshë fanellën e skuadrës angleze të Evertonit. Sulmuesi i Beshiktashit kaloi me sukses vizitat mjekësore te skuadra nga “Gudison Park”, drejtuesit e së cilës për shërbimet e turkut paguan plotë 28 milion euro.
Tosun të enjten në mbrëmje zhvilloi takimin e tij të fundit me fanellën e Beshiktashit ndaj Osmanlispor të Sokol Cikalleshit në kuadër të Kupës, ndërsa atë e bëri më së miri, duke u përshëndetur me tifozët “bardhezi” me një gol të shënuar në fitoren 4:1 të skuadrës së tij.
Tosun gjatë këtij sezoni ka shkëlqyer me Beshiktashin, sidomos në ndeshjet e Ligës së Kampionëve Europian ku në 6 ndeshje realizoi 4 gola dhe ishte ndër më të merituarit për kualifikimin e skuadrës turke për në ndeshjet e 1/8 së finales.
Ndryshe Tosun gjatë sezonit aktual me Beshiktashin zhvilloi plotë 24 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke shënuar edhe 14 gola.
Ndryshe te Beshiktashi ai erdhi gjatë vitit 2014-të nga rradhët e Gaziantepspor, ndërsa brenda 3 viteve e gjysmë ai zhvilloi plotë 141 ndeshje dhe realizoi 63 gola.