Skuadra kampione në fuqi e Turqisë, Beshiktashi ka konfirmuar transferimin e futbollistit kroat, Domagoj Vida. Mbrojtësi 28-vjeçar te “Shqiponjat e Zeza” nga Stambolli vjen si futbollist i lirë, pasi të njëjtit i kishte përfunduar kontrata me Dinamo Kievin.
Kroati pjesë e skuadrës së njohur ukrainase ishte që nga viti 2013-të, ndërsa brenda periudhës së tij 4-vjeçare ai me fanellën e Dinamo Kievit kishte regjistruar 160 ndeshje dhe 13 gola të shënuar, dy prej të cilëve kishte realizuar gjatë këtij edicioni. Ai gjithashtu me Dinamo Kievin ishte shpallur dy herë kampion, ndërsa po aq herë kishte fituar edhe Kupën e Ukrainës.
Kur jemi tek trofetë duhet cekur se Vida edhe me Dinamo Zagrebin ishte shpallur kampion dhe kishte fituar Kupën e Kroacisë.
Ndryshe përveç këtyre dy skuadrave të lartëpërmendura, Domagoj Vida gjatë karrierës së tij kishte veshur edhe fanellat e skuadrave si Osijek dhe Bajer Leverkusen.