Emanuel Mbella edhe zyrtarisht është një futbollist i lirë. Sulmuesi kamerunas me pasaportë franceze është ndarë me FC Shkupin dhe tashmë është në kërkim të një skuadre të re. Lajmin për “infOSport.mk” e konfirmoi menaxheri i sulmuesit 25-vjeçar, Blerim Sadiku, i cili në bisedë e sipër me ne, gjithashtu njoftoi edhe për skuadrat që kanë shprehur interesim për të transferuar Mbellan.
“Mbella tashmë është një futbollist i lirë, pasi neve sot prishëm kontratën me FC Shkupin. Jemi në bisedime e sipër me disa skuadra si nga vendi, ashtu edhe nga rajoni, mirëpo që të gjitha jemi duke i rishikuar dhe në fund do vendosim për ofertën më të mirë. Ndër skuadrat më konkrete mund të them se janë dy skuadrat kosovare, Llapi dhe Gjilani, që tashmë edhe zyrtarisht kanë dërguar ofertat e tyre, mirëpo siç thash neve do mendohemi mirë para se të vendosim se ku do të vazhdojë karrierën futbollisti ynë” – u shpreh enkas për “infOSport.mk” menaxheri i Emanuell Mbellas, kërçovari Blerim Sadiku, i cili më tej zbuloi edhe emrat e skuadrave të interesuara nga Superliga shqiptare: “Interesim gjithashtu kanë shfaqur edhe tre skuadra shumë të njohura nga Shqipëria, Kukësi dhe Partizani që janë pjesë e Superligës dhe Tirana, që garon në Ligën e Parë”.
Mirëpo këtu nuk është edhe fundi i listës së skuadrave të interesuara, pasi për shërbimet e 25-vjeçarit interesohen edhe dy skuadrat më të mira në kampionatin vendor, Shkëndija dhe Vardari, ndërsa gjithashtu ndër skuadrat që dëshirojnë të rrëmbejnë tashmë ish sulmuesin e FC Shkupit, janë edhe Sileksi dhe Renova.