Shkodran Mustafi ka shënuar në fitoren e Arsenalit në transfertën ndaj Kristal Palas. Skuadra e trajnerit Arsen Venger shënoi fitore me rezultatin 3:2, me Mustafin, i cili hapi serinë e golave në minutën e 25-të, njofton “infOSport.mk”.
Ishte ky goli i vetëm i shënuar gjatë 45 minutave të para, ndërsa vetëm pas 4 minutave lojë në pjesën e dytë Kristal Palasi arriti që të barazojë shifrat në 1:1 falë golit të shënuar nga Tounsend.
Mirëpo ky barazim ishte i përkohshëm, pasi në vijim të takimit në skenë te Arsenali doli kiliani Aleksis Sançez, i cili me dy gola të shpejtë (62’, 66’) bëri që “topçinjtë” të marrin frymë më lirshëm.
Fare në fund shpresat e vendasve i riktheu Tomkins me golin e shënuar me kokë vetëm një minutë para fundit të takimit, mirëpo ishte kjo e tëra që bënë vendasit, pasi edhe 4 minutat shtesë nuk u mjaftuan atyre për të gjetur golin e barazimit.
Ishte kjo fitorja e tretë për Arsenalin në ndeshjet si mysafir dhe gjithsej e 11-të pas 20 xhirove të zhvilluara, me ç’rast të besuarit e Arsen Venger tashmë ndodhen në pozitën e 6-të me 37 pikë, po aq sa ka edhe Totenhami në pozitën e 6-të.
Ndërkohë Kristal Palas me vetëm 18 pikë të tubuara renditet në pozitën e 16-të.