Ashtu siç afron merkatoja e janarit, ashtu drejtuesit e klubeve po bëjnë planet për rinovimet e kontratave, apo edhe transferimin e futbollistëve të rinj. Në këtë drejtim po punojnë edhe drejtuesite e skuadrës kampione të Italisë, Juventusi, të cilët janë të gatshëm që të ju vazhdojnë kontratat dy prej “senatorëve” të tyre të mbrojtjes, Xhiorxhio Kielini dhe Andrea Barzalji.
Që të dy do të blindohen me rinovimin e marrëveshjeve ekzistuese edhe për një tjetër sezon.
Për Kielinin, kontrata e të cilit përfundonte në qershor, është aktivizuar automatikisht një klauzolë që i përket numrit të ndeshjeve të zhvilluara brenda sezonit, ashtu që rinovimi i tij aktivizohet menjëherë deri më 30 qershor të vitit 2019-të, mirëpo si duket palët do ulen sërish në tavolinën e bisedimeve për ta zgjatur atë edhe për një vit tjetër.
Sipas “La Gazzetta Dello Sport”, në rastin e Barzaljit, klubi dhe lojtari 36-vjeçar janë gati për rinovimin e akordit ekzistues deri në vitin 2019, i cili me shumë mundësi do të jetë edhe fundi i karrierës së njërit prej futbollistëve më të suksesshëm të “biankonerëve”, por edhe Kombëtares italiane, me të cilën në vitin 2006 ishte shpallur kampion Bote.