Flamurtari i Vlorës gati të merr edhe Fisnik Zukën e FC Shkupit!

Flamurtari i Vlorës edhe definitivisht është dashuruar me futbollistë nga kampionatin ynë vendor. Gjatë merkatos së verës kjo skuadër transferoi 4 futbollistë (Muhamed Useini, Goran Siljanovski, Artim Pollozhani, Vviktor Nildo Xhufo), teksa ende pa filluar merkatoja e dimrit drejtuesit e skuadrës vlonjate kanë bërë për vete edhe tre të tjerë, duke nënshkruar me ish sulmuesin e Sileksit, Igor Nedeljkoviç, ish mesfushorin e Rabotniçkit, Muarem Muarem, dhe së fundmi futbollistin e Renovës, Argjent Gafuri.

Megjithatë ata nuk dëshirojnë të ndalen me kaq, dhe tashmë i kanë vënë syrin edhe futbollistit të talentuar të FC Shkupit, Fisnik Zuka.

Është pikërisht trajnerit Shpëtim Duro që ka zgjedhur 22-vjeçarin e Shkupit, për të përforcuar mbrojtjen në krahun e majtë, aty ku Zuka gjatë sezonit të fundit është treguar shumë i suksesshëm me fanellën e skuadrës nga Çairi.

Ai gjatë stinorit vjeshtor u paraqit në 15 ndeshje, edhe atë në të gjitha si titullarë, ndërsa brenda tre edicioneve të kaluara me fanellën “bardhekaltër”, Zuka ka zhvilluar plotë 64 ndeshje, duke shënuar edhe një gol gjatë sezonit të kaluar.

Mbetet të shihet nëse kësaj rradhe Shpëtim Duro dhe Flamurtari do të kenë sukses në transferimin e Fisnik Zukës, i cili me skuadrën nga Çairi ka kontratë deri verën e vitit 2019-të.

E gjithë kjo nënkupton se Flamurtari do të duhet të hyjë në bisedime me drejtuesit e rinj të FC Shkupit, që me siguri nuk do të heqin dorë aq lehtë nga një futbollist i talentuar, siç është Fisnik Zuka, për shërbimet e të cilit “infOSport.mk” mëson se ka interesim edhe nga disa skuadra të tjera, si nga vendi, ashtu edhe nga jashtë.

Leave a Reply