Për të qenë i suksesshëm s’do mend se duhet talent dhe shumë punë, por fati përfundimisht në shumë raste tregohet si faktor i rëndësishëm në ngritjen e një sportisti. Kemi shumë raste me të cilat mund të ilustrojmë këtë dukuri, por protagonisti ynë sot do të jetë i riu nga Tetova, Valon Ethemi. Sulmues krahu 20-të vjeçar i cili ende pa shijuar asnjë ndeshje të vetme në elitën e futbollit të Maqedonisë, për një gjysmësezon të vetëm arrin të lë shenjë në Super Ligën shqiptare me skuadrën kampione Kukësin. I lindur në Pallaticë të Tetovës, Ethemi hapat e parë të futbollit i ka bërë te Liria e Zhelinës, për të vazhduar më vonë te grupmoshat e Renovës.
Gjithmonë dallohej me talentin e tij, por si shumë raste tjera edhe Valoni nuk po gjente hapsirën e nevojshme për tu dëshmuar me të riturit. Kjo bëri që të kërkojë fatin në Shqipëri dhe Mamurasi i kategorisë së dytë i hapi dyert duke i dhënë mundësinë të tregojë çka din. Tetovari në 21 ndeshje shënoi 4 gola, por për më shumë u dëshmua me lojë të mirë dhe depërtime karakteristike në krahë. Kjo nuk mjaftoi për ndonjë ekip nga Maqedonia ta rikthente në shtëpi, por reagon Kukësi që e afron në skuadër, kur për një kohë të shkurtë konfirmohet si titullar me kampionët e Shqipërisë. 15-të paraqitje në Super Ligë prej të cilave 11-të si titullar dhe 2 gola të shënuar e bëjnë Ethemin materie të rëndësishme të formacionit të Kukësit, ndërsa me performansat që tregon paralajmëron të ritet në futbollist nga i cili mund të pritet të ngjitet lartë.