Skuadra e FC Shkupit dje festoi 90-të vjetorin e themelimit, ndërsa dhuratë më të mirë se sponzorin e ri as që mund të kishin paramenduar “pëllumbat” nga Çairi. Pikërisht mbrëmë gjatë këtij manifestimi u prezantua edhe sponzori i ri i këtij klubi, që shpreson ti rikthehet famës së vjetër dhe titujve të fituar kah fundi i viteve të 90-ta dhe fillimi i viteve 2000.
Rikujtojmë FC Shkupi (ish Sloga Jugomagnati) ka të fituar tre tituj kampion (1998-1999, 1999/2000, 2000/2001), ndërsa gjithashtu ka edhe tre Kupa të Maqedonisë (1995-1996, 1999-2000, 2003-2004).
Disa prej futbollistëve që ishin pjesë e atyre trofeve ishin të pranishëm në manifestimin e mbrëmshëm, në mesin e të cilëve edhe trajneri legjendar Gjore Jovanovski.
Ndër futbollistët e asaj gjenerate të artë që në sezonin 1999-2000 kishte arritur që të fitojë titullin e dyfishtë prezent ishin Nexhmedin Memedi, Zekirja Ramadani, Nebi Mustafi, vëllezërit Goran dhe Zoran Jovanovski si dhe rekordmeni i finaleve, autori i tre golave të shënuar në atë fitore historike të FC Shkupit ndaj Pobedës midis Prilepit, (0:6), Argjend Beqiri.
Gjithashtu pjesë e këtij manifestimi ishin edhe një numër i madh futbollistësh të tjerë, që gjithashtu kishin qenë pjesë e atyre titujve të FC Shkupit, si Nexhat Shabani, Goran Stankovski, trajneri aktual, Ardian Nuhiu, pastaj ish trajnerët Adnan Zekir, Mensur Nexhipi, trajnerët e grupmoshave të reja, Bajrush Baftjari, Setko Ali, si dhe ish futbollistë të kësaj skuadre që kishin lënë gjurmë te skuadra nga Çairi, si Mentor Miftari, Goran Janevski, Ismet Hajdarpashiq, Meriton Berisha, por edhe futbollistët aktual, të cilët pjesën e parë të sezonit e mbyllën në pozitën e 6-të me 23 pikë.
Të gjithë këto emra prezent mbrëmë në këtë manifestim kishin një dëshirë, e ajo është që Shkupi të rikthehet aty ku e ka vendin dhe të luftojë për tituj dhe të përfaqësojë vendin tonë në Europë.