Dikur luante me Arsenalin, me Galatasarajin dhe shumë skuadra tjera, ndërsa tani nuk ka shpi mbi kokë. Fjala është për Emanuel Ebue, i cili në një intervistë për tabloidin “Daily Mirror”, ka treguar për jetën e tij dhe vështirësitë e mëdha financiare, me të cilat po përballet për shkak të shkurorëzimit nga bashkëshortja.
Ai përveç se nuk mundet të sheh fëmijët e tij tashmë 6 muaj, ai tashmë ka humbur betejën edhe me gjykatën, e cila ka vendosur që e gjithë pasuria dhe shtëpia në të cilën jetonin bashkë, tashmë ti takojë vetëm bashkëshortes.
Mirëpo pas gjithë këtyre vështirësive, më në fund ka ardh edhe lehtësimi për Emanuel Ebue. Ka qenë pikërisht trajneri i ri i Galatasarajit, Fatih Terim, ai i cili i ka shtrirë dorën ish futbollistit të kësaj skuadre. Ngjarja e rëndë në të cilën kishte ardhur futbollisti nga Bregu i Fildishtë kishte prekur shumë strategun turk, i cili menjëherë kishte kërkuar nga ana e drejtuesve të klubit për ti ofruar punë Emanuel Ebue.
“Lajmin se si jeton Ebue e mësuam të gjithë ne në dhomat e xhveshjes pas ndeshjes kundër Goztepe. Vërtetë ky rast më preku shumë dhe e kisha patjetër të reagojë” – tha Terim në konferencën e mbrëmshme për shtyp të organizuar për gazetarë.
Këtë ofertë Ebue e kishte pranuar menjëherë, duke deklaruar se është i lumtur që sërish do të punojë me njeriun që e konsideron si baba të dytë.
“Kuptohet se jam shumë i lumtur që sërish do të mund të punojë me Terim dhe që më ofroi punë te Galatasaraji. Ai për mua është si një baba, e dua shumë dhe do bëja gjithçka për të” – është shprehur Ebue.
Ish reprezentuesi i Bregut të Fildishtë, i cili pjesë e Galatasarajit ishte nga viti 2011 deri në vitin 2016 te skuadra turke do të punoj si trajner me grupmoshat e reja, ndërsa njëkohësisht do të jetë edhe pjesë e ekipit këshillues të Terim te skuadra e parë e gjigandëve turq.