Kukësi aktualisht është pa trajneri, ndërsa numri një i kësaj skuadre, Safet Gjici, dëshiron që të zgjidhë këtë çështje që para vitit të ri.
Meqë skuadra udhëton në ditët e para të janarit drejt Turqisë për të zhvilluar një fazë të shkurtër përgatitore, ai dëshiron që deri atëherë jo vetëm të ketë zgjedhur trajnerin e ri, por edhe të ketë pasur kohën për të diskutuar me këtë të fundit për planin e ndërtimit të ekipit.
Së fundmi, në tavolinën e tij ka mbërritur edhe një propozim mjaft interesant sa i përket një ish-futbollisti të njohur të Jugosllavisë në fundin e viteve ’80 dhe fillimin e viteve ’90, i cili është gati për të marrë drejtimin e verilindorëve.
Sipas “SuperSport” bëhet fjalë për boshnjakun Faruk Haxhibegiç, mbrojtës në radhët e ish-Jugosllavisë e cila arriti deri në çerekfinalet e Botërorit 1990, ku ai ishte një prej lojtarëve që humbën penalltitë përballë Argjentinës së Maradonës.
Haxhibegiç ka drejtuar klube të ndryshme gjatë karrierës së tij si trajner, kryesisht në Fracnë si Sosho, Bastia, Dizhon e Valensien, por edhe Betis në Spanjë, ndërsa për pak muaj ai ka qenë edhe trajneri i Bosnjë Hercegovinës.