Emir Sahiti edhe zyrtarisht është një futbollist i lirë, ndërsa me të mësuar një fakt të këtillë, në adresë të talentit 19-vjeçar kanë arritur disa oferta nga jashtë Maqedonisë. Burime të “infOSport.mk” bëjnë me dije se disa skuadra nga Kroacia dhe Qiproja kanë shfaqur interesim për ish “romantikun”, i cili ditë më parë i dha fund aventurës së tij në kampionatin e Maqedonisë.
Ai te Rabotniçki luajti për 3 sezone rradhazi, ndërsa erdhi si 16-vjeçar nga skuadra kosovare e Trepça 89’. Ai brenda kësaj periudhe luajti në 35 ndeshje zyrtare me ekipin e parë të “romantikëve”, ndërsa gjatë këtij sezoni aktual zhvilloi 9 ndeshje kampionale, duke shënuar edhe një gol në fitoren 4:2 ndaj Pobedës.
Kujtojmë që talenti kosovar, me 15 shkurt të këtij viti ishte shumë pranë firmosjes së kontratës me gjigandët kroat të Dinamo Zagrebit, mirëpo deri te një marrëveshje mes palëve nuk erdhi për shkak të një lëndimi të futbollistit, që nuk ishte vërejtur nga stafi mjekësor i klubit nga “Debar Maalo”.
Mbetet të shihet nëse Emiri kësaj rradhe do të arrijë marrëveshje me skuadrën e njohur kroate, apo ndoshta edhe ndonjë skuadër tjetër që gjithashtu dëshiron të ketë në rradhët e veta këtë talent, që njëkohësisht është edhe pjesë e Kombëtares së Shqipërisë U21.