Futbolli është pa dyshim sporti më i pëlqyer tek të rinjët, ndërsa gjithashtu edhe në mesin e shqiptarëve. Futbollistët shqiptarë në veçanti ata që janë jashtë vendit, po realizojnë ëndërrën e tyre shumë shpejt, kjo falë edhe talentit që kanë dhe kushteve më të mira që po hasin në vendet evropiane.
I tillë është rasti me talentin 16-vjeçar Leon Dajaku, i cili po çmend Gjermaninë. Ai konsiderohet si një nga futbollistët më me perspektivë, ndaj edhe klubi i tij, Shtutgarti e ka blinduar atë me një kontratë afatgjatë, duke siguruar qëndrimin e sulmuesit në radhët e kësaj skuadre të mirënjohur gjermane.
Dajaku është bërë pjesë e akademisë së këtij klubi që në vitin 2014 dhe gjatë kësaj periudhe ka pasur një zhvillim të jashtëzakonshëm.
E gjithë kjo ka shtyrë drejtuesit që t’i vendosin atij para një marrëveshje bashkëpunimi si kontratë paraprake deri në vitin 2022, me firmën që është hedhur në prani të familjarëve dhe përfaqësuesve të tij ligjorë dy ditë më parë.
Dajaku ka shënuar 18 gola në 14 ndeshje me ekipin e U17 të Shtugartit dhe është grumbulluar në dy ndeshje me ekippin U19, ndaj klubi ngulmonte që të mbyllte sa më parë këtë marrëveshje, e cila në fund rezultoi me një marrëveshje afatgjate.
Ai gjithashtu është edhe pjesë e përfaqësueses së Gjermanisë U17, për të cilën përfaqësuese ka zhvilluar 8 ndeshje dhe ka shënuar një gol më 11 nëntor të këtij viti ndaj Portugalisë.