Real Madridi dhe Barcelona do të takohen sot në mesditë në ndeshjen e tyre të parë, të njohur ndryshe si “El Clasico” për sezonin 2017/2018. Që të dy skuadrat pa dyshim se posedojnë me një potencial të jashtëzakonshëm ofensiv.
Duke u bazuar te sezoni aktual, “katalunasit” shënojnë shumë nga depërtimet në qendër (19 nga 48 golat e tyre në La Liga deri më tani).
16 gola kanë ardhur nga e majta (andej ku Lionel Messi nis shumicën e aksioneve) dhe 13 nga e djathta.
Në anën tjetër, pika e fortë e madrilenëve është krahu i majtë. Nga ky krah kanë ardhur 21 gola nga 45 të shënuar të “mbretërve” gjatë këtij sezoni.
Për sa i përket mbrojtjes, kampionët e botës kanë më shumë probleme në qendër, aty ku është pika e fortë e sulmit të Barcelonës.
Skuadra e trajnerit Ernesto Valverde, ndërkohë, vuan shumë krahun e djathtë. Nga 13 golat e pësuar të skuadrës “katalunase” gjatë këtij sezoni në La Liga, më shumë se gjysma (7) kanë ardhur nga e djathta.