Napoli vitin 2017-të e mbyll si lider i “Serie A” (VIDEO)

Napoli vitin 2017-të do ta mbyll si lider në “Serie A”. Skuadra e trajnerit Mauricio Sari shënoi një fitore shumë të rëndësishme përballë Sampdorias në “Sao Paolo”. Para 50 mijë tifozëve Napoli i Elseid Hysajt shënoi fitore 3:2 në një ndër ndeshjet më interesante të javës së 18-të, njofton “infOSport.mk”.

Ramires shtangu tifozët vendas me super golin e shënuar pas vetëm dy minutave lojë, pas një goditje dënimi prej rreth 30 metrash.

Alan barazoi shifrat në minutën e 16-të, mirëpo Fabio Kualjarela me golin e shënuar nga pika e bardhë e shkaktuar nga Hysaj në minutën e 27-të sërish i dha avantazhin ekipit mysafir.

Megjithatë vendasit nuk dorëzoheshin dhe vazhduan me lojën e tyre të mirë, duke barazuar sërish rezultatin, kësaj rradhe me anë të Lorenco Insinjes, i cili shfrytëzoi në maksimum pasimin e Dris Mertens, duke bërë që rezultati në minutën e 32-të në semafor të jetë i barabartë, 2:2.

Mirëpo këtu nuk ishte fundi i golave të shënuar gjatë 45 minutave të para, pasi Mertens në minutën e 39-të sërish u shfaq në rolin e asistuesit, kësaj rradhe për golin historik të Marek Hamshik në minutën e 39-të, që ishte goli i tij i 116-të me fanellën e Napolit, duke tejkaluar kështu legjendën Diego Armando Maradona.

Në minutën e 77-të Napoli mbeti me një futbollist më pak në fushë pas dy kartonëve të verdhë të Mario Rui, mirëpo edhe përkundër epërsisë numerike në fushë, Sampdoria nuk arriti që të barazojë rezultatin, ashtu që në fund duheshe të pajtohet me disfatën  e 6-të në kampionat, transmeton “infOSport.mk”.

Napoli me 45 pikë renditet në pozitën e parë, ku edhe do të mbyll vitin 2017-të, ndërsa Sampdoria me 27 pikë renditet në pozitën e 6-të, duke cekur se skuadra nga Xhenoa në 5 ndeshjet e fundit ka marrë vetëm një pikë.

Leave a Reply