Skuadra e Hamburgut, ku aktualisht po luan reprezentuesi shqiptarë Mërgim Mavraj është një nga skuadrat që rrezikon seriozisht mbijetesën në Bundesligën gjermane. Kjo skuadër edhe vitin e kaluar i shpëtoi rrënies vetëm në javët e fundit, mirëpo si duket këtë sezon çështja është edhe më serioze.
Dhe duke pasur parasysh një gjë të tillë drejtuesit e Hamburgut po bëjnë planet e tyre për përforcimin e skuadrës për pjesën e dytë të kampionatit. Një ndër emrat e përfolur që mund ti bashkohet kësaj skuadre, është edhe ai i futbollistit nga Gostivari, Admir Mehmedi, që aktualisht luan me Bajer Leverkusenin.
Mirëpo duke pasur parasysh hapësirën që po merr te “farmaceutët” shumë lehtë mund të ndodh që një ofertë konkrete nga Hamburgu, të bind atë dhe drejtuesit e Leverkusenit. Mehmedi në 17 javët e para në Bundesligë, me fanellën e Leverkusenit ka regjistruar vetëm 10 paraqitje dhe 2 gola.
Mbetet të shihet nëse Hamburgu do të ofrojë ndonjë shumë të konsiderueshme për shqiptarin e Zvicrës, apo ndoshta do të tentojë huazimin e tij që tash në janar.