Skuadra e Rabotniçkit edhe këtë vit fazën e dytë të përgatitjeve në prag të stinorit pranveror do ta zhvillojë në Antalia të Turqisë. “Romantikët” me 05 janar në Shkup do të startojnë me fazën e parë të përgatitjeve, teksa nga data 22 janar deri më 01 shkurt skuadra do të përgatitet në Antalia, ku tashmë drejtuesit e klubit kanë caktuar edhe emrat e kundërshtarëve të tyre.
Ndeshjen e parë skuadra nga “Parku i Qytetit” do ta zhvillojë me 24 janar kundër skuadrës së Gabala nga Azerbajxhani, ndërsa vetëm dy ditë më pas sërish do të ketë një kundërshtarë azer, kësaj rradhe ekipin e Keshla (ish ekipin e Inter Baku).
Më 29 janar kundërshtarë i Rabotniçkit do të jetë skuadra ruse e Dinamo Sent Petersburg, ndërsa ndeshja e tyre e fundit në kuadër të fazës së dytë të përgatitjeve do të jetë ajo e 31 janarit kundër ukrainasve të Mariupol.
Këto ndeshje trajnerit Goran Stankovski do i shërbejnë për të parë nga afër formën e futbollistëve dhe për të formuar skeletin e skuadrës, me të cilin do të tentojë që në stinorin pranveror të kap vendet që sigurojnë Europën.
Pjesën e parë të sezonit 2017/2018 ekipi nga “Debar Maalo” e mbylli në pozitën e 5-të me 23 pikë, 8 pikë më pak se skuadra e tretë në tabelën e klasifikimit, Sileksi.