Skuadra kryesuese e La Liga-s, Barcelona nuk do të bëjë korridorin e nderit për futbollistët e Real Madridit para fillimit të ndeshjes “El Clasico”, pasi këta të fundit fituan Kupën e Botës për klube të shtunën.
Për ekipin e Zinedin Zidan të cilët në finalen e Kupës së Botës për Klube mundën ekipin brazilian të Gremios ishte trofeu i pestë brenda këtij viti.
“Do të ishte mirë dhe do të doja që Barcelona të na bënte një pritje nderi”, tha Ronaldo të shtunën në mbrëmje.
Megjithatë, drejtori i “katalunasve”, Giljermo Amor ka përjashtuar çdo mundësi që futbollistët e Barcelonës të rreshtohen për të përshëndetur rivalët e tyre.
“Ne e kemi bërë të qartë se e bëjmë këtë vetëm kur marrim pjesë në kompeticion. Kur ne të garojmë, do ta bëjmë, por nuk është ky rasti”, tha Amor.
Barcelona, natyrisht, nuk ka konkurruar në Kupën e Botës së Klubeve sepse ishte Reali që fitoi Ligën e Kampionëve në maj.
Rikujtojmë në shtunën (23.12) në “Santiago Bernabeu”, Reali i Madridit dhe Barcelona do të zhvillojnë “El Clasico-n” e parë të këtij edicioni, me “katalunasit” që futen me një diferencë prej 11 pikëve, por edhe me një ndeshje më shumë.