Trajneri i FC Shkupit, Ardian Nuhiu mbetet i kënaqur me futbollistët e tij. Nuhiu pas ndeshjes me Vardarin ka folur për mediat, duke thënë se ekipi i tij dha më të mirën ndaj Vardarit, por nuk arritën që të kualifikohen në çerekfinale.
“Mendoj se kemi luajtur ndeshje të mrekullueshme, ata treguan në fushë atë që e kishim punuar. Ishim të koncentruar që ta mbrojmë rezultatin pozitiv nga ndeshja e parë dhe në pjesën e parë ishim solid, e në disa raste kishim mundësi edhe të shënojmë me kundërsulme. Më pëlqeu ajo që pas pranimit të goli djelmoshat reaguan mirë, kishim mundësi që përmes Stojkosit edhe të barazojmë, por për fat të keq nuk shënuam. Në përgjithësi jam i kënaqur nga futbollistët e mi, e ka përsëritur shpesh herë këtë dhe qëndroj besnik kësaj që e them. E dimë se kush është Vardari momentalisht në kampionatin vendor, është kampion aktual dhe luajti edhe në grupet e Ligës së Evropës. Por ajo që mua më gëzon është se në tri ndeshjet e fundit ndaj tyre kemi luajtur shumë mirë”, është shprehur Nuhiu.
FC Shkupi me ndeshjen e Kupës përballë Vardarit, e mbyll edhe zyrtarisht gjysmësezonin, duke liruar futbollistët në pushim të merituar.