Federata e Atletikës së Maqedonisë përjeton momente krize, pasi të pakënaqur me menaxhimin e të njejtës shumica e klubeve kërkojnë ndryshime në vetë kreun e këtij institucioni. Në atmosferë të tensionuar dhe pa pritur fundin ka kaluar Mbledhja e të të shtunës, ku në vrullin e diskutimeve nuk kanë munguar tonet e larta dhe papajtueshmërive që kanë sjellë disa ndërprerje, në fund edhe mbyllje të parakohëshme të takimit pa ndonjë vendim konkret. Një numër i madh i kuvendarëve kishin mbledhur nënshkrime për mbajtjen e një Kuvendi të jashtëzakonshëm ku do të diskutohej votëbesimi i presidentit të federatës, Krste Serafimovksi ndërsa ky i fundit nuk lejonte plotësimin e rendit të ditës me këtë pikë.
Pala e pakënaqur pretendonte se kishte 1/3-tën e nënshkrimeve nga klubet aktive me të drejte vote dhe kjo sipas satutit të FAM-it u mundëson organizimin dhe udhëheqjen e kuvendit të parakohshëm, të cilin kryetari Serafimovski e konsideronte si jodemokratike. Në të njejtën kohë përfaqësuesi i klubeve iniciatore Ivan Cvetkovski iu referua statutit të Federatës Evropiane të Atletikës, sipas së cilës kryetari aktual Krste Serafimovski nuk është legitim, pasi kalon moshën 72 vjeçare.
Me këtë ai ka shkeluar statusin e IAAF kur është kandiduar për mandatin e dytë. Pas kësaj ”rrëmuje” numri 1 i Federatës bashkë me trupin udhëheqës të seancës urdhëroi ndërprerjen e mbledhjes dhe kërkoi pas 60-të ditëve të mbahet mbledhja e rradhës së kuvendit. Të pakënaqur nga sjellja e kryetarit Serafimovski kuvendarët e klubeve nënshkruese për mbajtjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm deklaruan se do vazhdojnë me aktivitetet shtesë për thirrjen e Seancës së jashtëzakonshme të FAM-it.(SHENJA)