Skuadra kryesuese e La Liga-s, Barcelona nuk lejon asnjë befasi. Ata sonte përballë Deportivo Lakorunjës në ndeshjen e javës së 16-të, në “Kamp Nou” të zhvilluar para 53 607 tifozëve shënuan një fitore të thellë me rezultatin 4:0, fitore kjo që mund të ishte edhe shumë më e thellë në rast se të besuarit e Ernesto Valverdes ishin më të vëmendshëm para portës mysafire, njofton “infOSport.mk”.
Luis Suarez (29’, 47’) dhe Paulinjo (41’, 75’) ishin autorë të golave në këtë ndeshje, teksa si duket nata e sontshme nuk ishte e Lionel Messit, pasi “pleshti” qëlloi tre herë shtyllën, ndërsa gjithashtu humbi edhe një penalti.
Mirëpo kjo nuk ishte e tëra, pasi gjatë pjesës së parë ishte një vendim i arbitrave që i’a mohoi golin e tretë uruguaianit, Luis Suarez, teksa gjatë pjesës së dytë ishte një shtyllë tjetër.
Kjo super paraqitje e skuadrës “katalunase” ishte një paralajmërim i mirë për ndeshjen e javës së ardhshme ndaj Realit të Madridit në “Santiago Bernabeu”, ndeshje kjo që në program është me 23 dhjetor me fillim në ora 13:00.
Në ndeshjet tjera të së dielës, Las Palmasi dhe Espanjolli barazuan 2:2, Viljareali me rezultatin minimal 0:1 mundi Selta Vigon në transfertë, teksa me po të njëjtin rezultat Girona si vendas ngadhnjeu ndaj Getafes.
La Liga, Java XVI |
||
Girona | 1 – 0 | Getafe |
Leganes | – | Real Madrid |
Celta Vigo | 0 – 1 | Villarreal |
Las Palmas | 2 – 2 | Espanyol |
Barcelona | 4 – 0 | Dep. La Coruna |