Vetëm periudha e fundit nuk i mjaftoi Shkupit ndaj Feni Industri

Klubi i basketbollit Shkupi ka pësuar disfatë në transfertën në Kavadar ndaj Feni Industri, njofton “infOSport.mk”. Të besuarit e trajnerit Enver Miftari në këtë ndeshje u rizgjuan shumë vonë nga gjumi, pasi vetëm periudha e fundit nuk u mjaftoi atyre që të nxjerrin një rezultat pozitiv nga kjo përballje e javës së 10-të në elitën e basketbollit vendor.

Ata pësuan disfatë me rezultatin 83:79, edhe përkundër faktit se në periudhën e katërt shkëlqyen duke e mbyllur me shifrat 23:7.

Të dyja skuadrat zhvilluan një lojë të barabartë në periudhën e parë që u mbyll me shifrat 22:20 në favor të vendasve të Feni Industri, basketbollistët  e së cilës skuadër në periudhën e dytë shkëlqyen duke e mbyllur këtë pjesë me shifrat 26:14. Pikërisht kjo periudhë bëri që Feni Industri të mbyll pjesën e parë me 14 pikë epërsi, 48:34.

Me lojë të njëjtë basketbollistët vendas vazhduan edhe në periudhën e tretë, duke bërë që në 10 minutëshin e fundit të futen me plus 20 pikë epërsi, 76:56.

Periudha e katërt e tëra foli në anën e basketbollistëve të Shkupit, të cilët ishin superior, duke e mbyllur këtë periudhë me 16 pikë epërsi (6:23), mirëpo një gjë e tillë nuk u mjaftoi atyre që ti ikin disfatës së 8-të gjatë këtij edicioni.

Edhe në këtë ndeshje te KB Shkupi u dallua treshja Moujeke (24), Tejlor (22) dhe Haris (19), të cilët së bashku realizuan 65 pikë.

Në anën tjetër te Feni Industri më i miri ishte Andrej Magdevski, i cili regjistroi 30 pikë, 7 asistime dhe 6 kërcime, ndërsa Jane Petrovski këtë ndeshje e mbylli me 16 pikë, 5 kërcime dhe 10 asistime.

Për Feni Industri ishte kjo fitorja e 6-të këtë edicion pas 10 xhirove të para, duke u renditur në pozitën e 3-të me 16 pikë, teksa Shkupi me 12 pikë renditet në pozitën e 9-të.

Leave a Reply