Real Madridi është fitues i trofeut të Botërorit për klube, pasi në finale mundi kampionët e Kopa Libertadores, Gremion me rezultat 1:0. Sfida që u zhvillua në Abu Dhabi u vendos me golin e vetëm të Kristiano Ronaldos që e shënoi në minutën e 53-të.
Për Realin ky është trofeu i tretë në histori që fiton në këtë kompeticion në katër vitet e fundit. Ndërkohë skuadra e Zinedin Zidanit me këtë trofe, rrumballakson pesë të tillë në këtë sezon që ka fituar, pas La Ligas, Ligës së Kampionëve, Superkupës së Europës dhe Superkupës së Spanjës.