Përballja në Superligën shqiptare ndërmjet Flamurtarit dhe Laçit është ndërprerë në pjesën e parë për shkak të rreshjeve të shiut që kanë stërmbushur stadiumin me ujë. Shiu nuk ka ndalur gjatë gjithë pjesës së parë dhe ka qenë e pamundur të luhet me top në tokë, ndërsa në pushim fusha është mbuluar edhe më shumë nga uji.
Vetëm një pjesë loje ka zgjatur Flamurtari-Laçi, me rezultatin 0-1 për laçianët, me 11-metërsh shënuar nga Rexhinaldo. Arbitri Juxhin Xhaja ka provuar me kapitenët, duke hedhur topin në disa zona të fushës, por qartësisht nuk mund të luhej futboll normalisht.Është vendosur shtyrja e ndeshjes, 45 minutat e mbetura do të rikuperohen nesër duke nisur nga ora 14.00.