Futsal Shkupi ka goditur fuqishëm në prag të merkatos së janarit, duke rikthyer në rradhët e veta dyshen Erkan Seferi dhe Rexhep Sulejmani, njofton “infOSport.mk”. Që të dy para fillimit të këtij sezoni iu bashkuan skuadrës kosovare të Junikut, mirëpo vetëm pas disa muajve të kaluar që të dy shkëputën kontratën, duke vendosur që sërish të rikthehen në familjen e tyre të madhe, Futsal Shkupi.
Që të dy do të kenë të drejtë loje vetëm nga janari dhe do të jenë në disponim të trajnerit Zoran Lekiq për pjesën e dytë të edicionit 2017/2018, ku “bardhekaltërit” nga Çairi do të luftojnë deri në fund për titullin e kampionit me skuadrën e Velesit.
Aktualisht rivali i tyre ka 6 pikë më shumë në renditjen tabelare, ndërsa drejtuesit e skuadrës së Futsal Shkupit besojnë se me Seferin dhe Sulejmanin në skuadër do të jenë rival të denjtë të Velesit dhe se deri në fund do të luftohet për titullin e kampionit, ashtu siç ndodhi edhe sezonin e kaluar, kur në fund titullit të kampionit iu gëzua pikërisht skuadra shkupjane.