Ndihmës seleksionuesi i përfaqësueses së Maqedonisë në futboll, Xhengis Rexhepi shumë lehtë mund të ndodhë që karrierën e tij si trajner ta vazhdojë në futbollin kosovar. Burime të afërta me “infOSport.mk” bëjnë me dije se strategu 35-vjeçar është kandidati kryesor për të marrë bankinën e skuadrës lidere në Ligën e Parë Futbollistike të Kosovës, KEK-ut.
Një gjë të tillë vërteton edhe takimi mes strategut tetovar dhe dy drejtuesve më të lartë të skuadrës kosovare, drejtorit sportiv Agim Keka dhe drejtorit gjeneral, Arben Shahini, të cilët të mërkurën në mbrëmje kishin udhëtuar drejt Tetovës për të finalizuar marrëveshjen.
Sipas burimeve të “infOSport.mk” kanë mbetur vetëm edhe disa detaje të vogla për tu qartësuar dhe që Rexhepi të bëhet trajneri i rradhës nga Maqedonia që do të drejtonte një skuadër kosovare.
Rikujtojmë se edhe gjatë këtij gjysmësezoni në adresë të Rexhepit kishin arritur disa oferta nga klube nga Maqedonia dhe Kosova, por për shkak angazhimeve me përfaqësuesen e Maqedonisë, ai kishte refuzuar të njëjtat.
Megjithatë tashmë gjërat mund të ndryshojnë, duke pasur parasysh projektin afatgjatë të skuadrës kosovare, e cila stinorin vjeshtor në Ligën e Parë Futbollistike të Kosovës e kishte mbyllur pa asnjë humbje.
KEK-u pas 17 xhirove ka grumbulluar 39 pikë, 5 më shumë se dy ndjekësit më të afërt Vushtrria dhe Ballkani dhe shihet si një ndër kandidatët kryesor që sezonin tjetër të promovohet në mesin e më të mirëve në futbollin kosovar.