Ndeshjet e kthimit të raundit të 1/8-ve të Kupës së Shqipërisë ka sjellur kualifikim për ekipet e mëdha. Tirana u mposht ne Loro Boriçi me rezultat 1:0 nga Vllaznia, mirëpo “bardheblutë” kualifikohen për në fazën tjetër falë suksesit 2:0 në ndeshjen e parë.
Ashtu si një vit më parë Tirana tashmë do të ketë përballë Kukësin në çerekfinale, me verilindorët që mposhtën sërish me goleadë Erzenin e Shijakut, këtë herë me rezultatin 5:1 falë një dygolësh të Koldashit dhe finalizimeve të Ethemit, Aliyev dhe Shtubinës.
Në grupin A, avancuan më tej edhe Teuta e Skënderbeu që do të sfidojnë njëra-tjetrën në raundin pasardhës. Korçarët mposhtën edhe në ndeshjen e kthimit Besëlidhjen këtë herë me rezultatin 3:1 falë golave të Kelmendit që realizoi dy herë dhe James. Ndërkohë që Teuta dhuroi spektakël përballë Kamzës. Pas barazimit 1:1 në ndeshjen e parë skuadra e Maganit triumfoi 4:0 në Niko Dovana me një dygolësh të Hilës dhe finalizimet e Beqajt dhe Osemenes.
Në grupin B bënë detyrën Partizani, Flamurtar e Laçi ndërsa Luftëtari u kualifikua pa luajtur për mos paraqitje në kohë të Bylisit në stadiumin e Gjirokastrës. Golat e Filit, Prognit dhe kapitenit Batha i dhanë fitoren 3:0 Partizanit ndaj Pogradecit me të kuqtë që u kualifikuan më tej me rezultat të përgjithshëm 4:0 dhe tashmë do të masin forcat në çerekfinale me Flamurtarin.
Ekipi i Shpëtim Duros kaluan sërish me një tjetër goleadë Turbinën me shifrat 5:2. Ndërkohë goli i Bizhytit nuk i mjaftoi Lushnjës me Laçin që pësoi një humbje të ëmbël pasi falë fitores 3:1 në ndeshjen e parë kaloi më tej aty ku tashmë do të ketë përballë Luftëtarin që gjithsesi më parë duhet presë vendimin e Komisionit të Disiplinës për ndeshjen ndaj Bylisit.