Besart Abdurrahimi nuk ka gjetur hapësirat e duhura te Shkëndija dhe një largim i futbollistit shqiptarë që jeton në Zagreb të Kroacisë mund të ndodh që gjatë merkatos së janarit. Megjithatë për të ndodh një gjë e tillë, fillimisht drejtuesit e Shkëndijës do të duhet të japin dritë jeshile, pasi futbollisti 27-vjeçar është i lidhur me “kuqezinjtë” deri me 30 qershor të vitit 2018-të.
Emri i tij po lidhet me një kalim të mundshëm te Partizani i Tiranës, në të cilin qytet Olsi Teqja po kalon pushimet pranë familjes së tij.
Ai në një prononcim për “Supersport” ka folur edhe me transferimin e mundshëm të bashkëlojtarit të tij te skuadra rivale e tij, duke pasur parasysh se Teqja para se të vinte te Shkëndija mbronte ngjyrat e KF Tiranës.
“Lajmin për kalimin e Besart Abdurrahimit tek Partizani e kam dëgjuar vetëm në media. Besartin e kam një mik shumë të mirë por ajo që dua të them për këtë lojtar është se cilësitë e tij janë të padiskutueshme sepse Besarti është provuar në Liga më të forta se Shqipëria dhe Maqedonia. Për këtë futbollist do të ishte i lumtur çdo ekip që ta kishte pjesë të skuadrës”, ka thënë Teqja, i cili për dallim nga Abdurrahimi, me Shkëndijën ka kontratë deri verën e vitit 2019-të.