Mbrojtësi i Shkëndijës, Olsi Teqja në një prononcim për “Supersport” ka folur për eksperiencën e tij te skuadra tetovare gjatë këtyre muajve të kaluar. Ai te Shkëndija erdhi verën e këtij viti, ndërsa edhe pse fillimi nuk rezultoi i mbarë, së fundmi ai u shndërua në një titullarë të padiskutueshëm te skuadra “kuq e zi”, me të cilët u shpall kampion vjeshtor.
“Kam përshtypjen se ishte zgjedhja e duhur, pavarësisht se nuk jam menduar dy herë për Shkëndijën. E kisha dëgjuar këtë skuadër dhe kisha parë paraqitjen e tyre në Europë, gjatë sezonit të shkuar. Jemi në vendin e parë në kampionat dhe kemi realizuar një rrugëtim të mirë në Europë. Jam shumë i kënaqur pasi jam kthyer në një lojtar titullar për ekipin e Shkëndijës dhe shpresoj të vazhdojmë në këtë rrugë” – deklaroi për “Supersport”, Olsi Teqja.
Ai shprehet i lumtur për gjithë këto të arritura me Shkëndijën dhe emocionet që morri në përballjen ndaj gjigandëve të Milanit në fazën “play-off” të Liga Europa. Sipas tij nëse nuk do kishin Milanin për kundërshtarë, “kuqezinjtë” mund të preknin ndeshjet në grupe të Liga Europa, njëjtë sikurse edhe Vardari.
“Askush nuk e kishte menduar se shorti do na vinte përballë Milanit. Një fat i mirë por edhe keq për ne pasi nëse nuk do të ishte Milani kundërshtari ynë në eliminatore, atëherë Shkëndija do të ishte në grupet e “Europa League”, ashtu siç ishte edhe Vardari. Një fat i mirë pasi Milani është një përballje që vjen njëherë në jetë dhe i gjithë stafi dhe klubi e shijoi në maksimum ato dy ndeshje që janë të paharrueshme” – u shpreh Teqja.
Futbollisti shqiptarë këtë edicion me Shkëndijën zhvilloi gjithsej 15 ndeshje, 10 prej të cilëve në kuadër të Ligës së Parë Futbollistike të Maqedonisë dhe 5 në ndeshjet kualifikuese të Liga Europa.