Besnik Hasi karrierën e tij si trajner sërish do ta vazhdojë në Belgjikë, aty ku bëri emër edhe si futbollist, por edhe si trajner, njoftojnë mediat belge. Sipas tyre ish trajneri i Anderlehtit ka shumë gjasa që të merrë drejtimin e skuadrës së Genkut, te e cila skuadër Hasi kishte luajtur si futbollist nga periudha 1994-2000, duke zhvilluar mbi 140 ndeshje dhe duke u shpallur kampion në sezonin 1998-1999.
Genku këtë edicion nuk është në luftë për titullin kampion, ndërsa një gjë e tillë shtyri drejtuesit e kësaj skuadre që të shkarkojnë trajnerin Albert Stuivenberg. Genk aktualisht ndodhet në pozitën e 9-të me 23 pikë të tubuara, 4 më pak se skuadra e pozitës së 6-të, Sent Truden pozitë kjo që siguron ndeshjet e “play-off”.
Gjithnjë sipas mediave belge, drejtuesit e klubit janë në kontakte të vëzhdueshme dhe duan t’i besojnë drejtimin Hasit, i cili kërkon një projekt të ri në një vend ku rreth tij ka besim të plotë, dhe jo si në eksperiencat e mëparshme jashtë Belgjikës, kur dështoi me Legian e Varshavës dhe më pas edhe me Olimpiakosin grek.