Sokol Cikalleshi ka gjetur edhe golin e dytë në Superligën turke me fanellën e Osmanlispor, duke ndihmuar skuadrën e tij që të mund Alanyasporin me rezultatin 3:0.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare, që e nisi ndeshjen titullar hapin serinë e golave në minutën e 13-të, me një gol të shënuar nga pika e bardhë, ndërsa vlen të ceket se edhe dy golat tjerë skuadra vendase e Osmanlispor i realizoi po nga goditjet e 11-të metërshit.
Golin e dytë e realizoi Cagiran në minutën e 20-të, teksa 9 minuta më pas, sërish nga pika e bardhë shënoi edhe Gurler.
Këto tre gola të shënuar brenda 30 minutëshit të parë u treguan edhe si vendimtarë në këtë përballje, në të cilën Osmanlispor gjeti fitoren e katërt të këtij edicioni.
Pas 15 xhirove, Osmanlispor renditet në pozitën e 14-të me 14 pikë të tubuara, teksa Alanyaspor me 3 pikë më shumë renditet në pozitën e 12-të.
Ndryshe Cikalleshi kontributin e tij në këtë ndeshje e dha deri në minutën e 63-të, duke treguar një nivel të lartë.
Kjo ishte ndeshja e shtatë për të si titullar me Osmanlispor nga 15 ndeshje të zhvilluara deri më tani në kampionat, dhe goli i dytë pas atij ndaj Kasimpasha me 30 shtator.