Futbollisti shkupjan, Jasir Asani po kalon një formë të mirë te Partizani i Shqipërisë, ndërsa në ndeshjen e fundit ndaj Teutës dhuroi edhe një asist për golin e fitores. Pas ndeshjes mesfushori nga Maqedonia ka dhënë përshtypjet e tij për sfidën si dhe për objektivat qe ka klubi, ndërsa mes tjerash është pyetur edhe për një krahasim të kampionatit shqiptarë dhe të Maqedonisë.
“Kampionati shqiptar është më cilësor, ka shumë lojtarë të mirë dhe janë shumë skuadra në garë për vendet e para”, ka thënë Asani.
Ai ka folur edhe për përshtatshmërinë te Partizani, ndërsa mendon se ekipi i tij mund ta arrijë kreun.
“Nuk isha shumë i përgatitur kur erdha dhe kisha nevojë që të gjeja formën optimale. Starova më ka dhënë hësprë dhe shanse dhe fizikisht jam mirë, ndaj jam i lumtur që po i shfrytëzoj hapësirat që më jepen. Sa i përket objektivit, nuk jemi larg nga vendi i dytë, nëse vazhdojmë kështu, duke dhënë maksimumin, mund ta kapim kreun. Partizani ka një emër të madh dhe ekip të mirë, nuk e meriton vendin e gjashtë, por meriton vendin e pare”, ka thënë mesfushori ofanziv i Partizanit, Asani.
Asani në merkaton e veres kaloi në radhët e Partizanit, ndërsa në sezonin paraprakë luajti për FC Shkupin dhe Vardarin.