Derbi ndeshja e javës së 11-të në futsalin vendor midis Futsal Shkupit dhe Juventus Seravës nuk ka pritur fundin e saj. Kur kishin mbetur vetëm më pak se dy minuta trajneri i Juventus Seravës i nervrikosur me një nga vendimet e dyshes së arbitrave u fut brenda në parket dhe goditi njërin prej arbitrëve, Josip Barton, njofton “infOSport.mk”.
Mjaftoi kjo që kjo ndeshje të ndërpritet edhe pse deri në ato momente të pranishmit në palestrën “Enver Idrizi” në lagjen e Seravës ishin dëshmitarë të një super derbi, që në tërësi plotësoi një epitet të tillë.
5:5 ishte rezultati në ato momente, me dy pjesë krejtësisht të ndryshme.
Pjesa e parë në tërësi foli për “bardhezinjtë”, duke e mbyllur atë me rezultatin 4:1. Ishte Erkan Shabani që hapi serinë e golave, teksa Reshat Ali nuk vonoi shumë dhe realizoi edhe golin e dytë në rrjetën e Berat Jakupit.
Super goli i shënuar nga ana e talentit Jakup Ramadani bëri që Juventus Serava të shënojë edhe golin e tretë, teksa pas një aksioni të shpejtë, tashmë kapiteni i ri i Futsal Shkupit, Orhan Ibishi shënoi në rrjetën e gabuar, duke bërë që Juventusi të avansojë me rezultatin 4:0.
Deri në mbyllje të pjesës së parë Shkupi me anë të Eroll Dalip realizoi golin e vetëm, i cili ju dha krahë “bardhekaltërve”, të cilët shpërthyen në pjesën e dytë, e cila u zhvillua me shumë tensione.
Në saje të një loje të tillë portieri i Futsal Shkupit Berat Jakupi pësoi një lëndim, ndërsa që atmosfera të bëhet më e zjarrtë kontribuoi edhe festa e futbollistit të Shkupit, Ylber Alili, kur me një super gol ngushtoi epërsinë e Juventus Seravës në 2:4. Eroll Dalip i ndihmuar nga futbollisti kundërshtarë Reshat Ali shënoi golin e tretë për Shkupin, teksa falë golit të shënuar nga Vedat Arslan, Futsal Shkupi arriti që të barazoj shifrat në 4:4.
Megjithatë edhe përkundër këtij barazimi “bardhekaltërit” nuk u ndalën, pasi ishin zotërues të vërtetë në parket, ndërsa atë e shfrytëzuan me golin e pestë, që mban firmën e Bejtulla Jakupit.
Juventus Serava falë një penaltie të përftuar nga norma e ndërhyrjeve të palejuara, barazoi shifrat përmes Eljesa Nezirit, mirëpo pasi në anën tjetër vendasit e Futsal Shkupit përfituan një ndërhyrje të palejuar, e pesta me rradhë, një gjë e tillë nuk i pëlqeu trajnerit mysafir, Gafur Hasani, i cili reagoi ashpër, duke bërë që arbitri ta përjashtojë jashtë. Megjithatë ai nuk mundi të pajtohej me një gjë të tillë, me ç’rast goditi arbitrin Josip Barton, i cili menjëherë ndërpreu ndeshjen.
Tashmë pritet të zhvillohet edhe pjesa e tretë e këtij takimi, edhe atë në tavolinën e FFM-së, që duhet të dalë me vendim të prerë nga ajo që ka regjistruar delegati i këtij takimi.