Çfarë ndodhi me Skënderbeun në aeroportin e Prishtinës? Për “infOSport.mk” flet zëdhënësi i korçarëve, Enea Zhidro

Nuk ju kishte ndodhur asnjëherë më parë gjatë udhëtimeve të tyre, mirëpo ja që një gjë e tillë u ndodhi në aeroportin e Prishtinës, kryeqytetit kosovar, që shumica nga ne e konsiderojmë si pjesë të Shqipërisë këtë tokë shqiptare. Fjala është për skuadrën e Skënderbeut dhe dy futbollistët afrikanë të kësaj skuadre, Nimaga dhe Demte, të cilët nuk u lejuan të futen në Kosovë, pas rikthimit të tyre nga Zvicra pas ndeshjes që zhvilluan të enjten ndaj Jang Bojs në kuadër të ndeshjeve në grupe të Liga Europa.

Autoritetet kosovare, pavarësisht këmbënguljes së drejtuesve të Skënderbeut, vepruan me shpejtësi dhe që të dy futbollistët e skuadrës korçare i rikthyen për në Bazel të Zvicrës.


KOSOVA KTHEN MBRAPA NË ZVICËR DY FUTBOLLISTËT E SKENDERBEUT


Por se çfarë ndodhi konkretisht në aeroportin e Prishtinës dhe si erdhi deri te e gjithë kjo situatë, “infOSport.mk” kontaktoi zëdhënësin e klubit të Skënderbeut, Enea Zhidro, i cili na sqaroi: “Na kanë kthyer dy futbollistë, përkatësisht me shtetësi nga Mali dhe Etiopia. Në të shkuarën kemi proceduar njësoj nga Shkupi 3 herë dhe nga Stambolli, por nuk na kanë nxjerrë kurrë probleme, pasi kemi qenë tranzit. Policia kosovare na u drejtua se viza e dy futbollistëve tanë Nimaga dhe Demte është një kalimëshe dhe se duhej multi për të kaluar edhe nëpër Kosovë. Megjithatë një gjë e tillë nuk është normale, derisa neve nuk qëndrojmë në Kosovë dhe jemi tranzit. Nuk kemi marrë këtë përgjigje as në Shkup dhe as  në Stamboll. Lojtarët kanë leje qëndrimi në Shqiperi, kontratë pune dhe vizë Shqiptare dhe nuk janë refugjatë por profesionistë.”

E gjithë kjo bëri që dy futbollistët e Skënderbeut, Nimaga dhe Demte të rikthehen në Bazel, që më pas përmes linjes Bazel-Stamboll-Tiranë, të arrijnë në Shqipëri.

Vërtetë një rast i çuditshëm ky, që ndoshta nuk e kishte pritur askush, e në veçanti drejtuesit e skuadrës së Skënderbeut, të cilët pas këtij rasti kanë mbetur të dëmtuar, duke pasur parasysh se trajneri Ilir Daja nuk do të mund të llogarisë në dyshen afrikane për ndeshjen e së dielës kundër Laçit në transfertë.

Leave a Reply