Pas mbylljes së fazës në grupe, 16 skuadrat e kualifikuara të ndara në dy vazo, (vazo e parë) Barcelona, PSZH-ja, Mançester Siti, Mançester Junajtedi, Totenhami, Liverpulli, Roma dhe Beshiktashi, (vazo e dytë), Real Madridi, Çelzi, Juventusi, Bajern Munihu, Sevilja, Shakhtar Donjetsku, Porto dhe Bazeli janë në pritje që të mësojnë kundërshtarët për në fazën e 1/8 së finales.
Janë këto 16 skuadrat më të mira për momentin të Evropës, që njëherit vlejnë edhe më së shumti në tregun evropian të futbollit. Por cila është vlera e tyre reale, për një gjë të tillë na njofton portali i njohur “transfermarkt”.
Ekipi me vlerën më të lartë në vazon e parë është Barcelona, 760 milionë euro, e ndjekur nga PSZH-ja me 648 milionë euro. Katër skuadrat angleze, Siti, Junajtedi, Totenhami dhe Livepulli vijnë më poshtë në këtë renditje.
Në vazon e dytë ekipi me vlerën më të lartë është Reali me 743 milionë euro, duke lënë pas vetes Çelzin me 631 milionë euro, ndërkohë që më pas vijnë Bajerni dhe Juventus.
Ndërkohë skuadra me vlerën më të ulët është Bazeli, ku aktivizohen dy futbollistët shqiptarë, Taulant Xhaka dhe Albian Ajeti. Vlera e përgjithshme e skuadrës kampione të Zvicrës është 48.8 milionë euro.