Mevlan Adili ka gjasa që të rikthehet në futbollin vendor, mirëpo kësaj rradhe jo te klubi i tij i zemrës, FC Shkupi, por te kampionët vjeshtor të Shkëndijës, njofton “infOSport.mk”.
Burime të afërta me portalin tonë bëjnë me dije se drejtuesit “kuq e zi” kanë bërë kontaktet e para me menaxherin e futbollistit shkupjan, i cili janarin e këtij viti iu bashkua skuadrës rumune të UTA Arad nga rradhët e FC Shkupit.
Ai me skuadrën rumune që garon në Ligën e Dytë ka kontratë deri qershorin e vitit 2019-të, mirëpo në marrëveshjen mes tyre ekziston një klauzolë që në rast se në adresë të Adilit vjen ndonjë ofertë më e mirë, të mos e pengojnë në realizimin e saj.
Kësisoj mbrojtësi 23-vjeçar mund ti bashkohet sërish Shkëndijës, pjesë e së cilës ishte nga janari deri në korrikun e vitit 2015-të, transmeton “infOSport.mk”
Cilësitë e Mevlan Adilit janë shumë mirë të njohura edhe për strategun e Shkëndijës, Qatip Osmani, i cili përveç si mbrojtës futbollistin shkupjan mund ta shfrytëzojë edhe si mesfushor difenziv.