Një Skënderbe shumë i pafat. Kështu mund të përshkruhet ndeshja e fundit e skuadrës korçare në ndeshjet e Liga Evropa sonte përballë Jang Bojsit në Zvicër, ku tifozët shqiptarë bënë që Skënderbeu të ndihet si në shtëpinë e vetë, njofton “infOSport.mk”.
Megjithatë edhe pse përkrahja e tyre nuk mungoi në asnjë çast për gjatë 90-të minutave, ishte një gol i rezervistit të artë të Jang Bojs, Asale që prishi festën e tyre, por edhe të futbollistëve të Skënderbeut, të cilët deri në minutën e 95-të kishin një rezultat të favorshëm, 1:1, që do ju siguronte atyre pozitën e tretë në kuadër të grupit “B”.
Ndërkohë me disfatën 2:1 Skënderbeu mbylli ndeshjet e këtij grupi në pozitën e fundit me 5 pikë, duke arritur 1 fitore, 2 barazime dhe tre disfata.
Pas pjesës së parë pa gola, ishte Skënderbeu që pas 6 minutave lojë në pjesën e dytë me anë të Gavazajt kaloi në epërsi.
Vendasit u kundërpërgjigjën shumë shpejt me anë të ish sulmuesit të Paris Sen Zhermenit, Horo, i cili vetëm 4 minuta më pas barazoi shifrat në 1:1, ndërsa për fitoren e Jang Bojs u përkujdes rezervisti Asale me golin e tij të shënuar në minutën e 95-të, edhe pse arbitri kryesor kishte treguar 4 minuta lojë shtesë, transmeton “infOSport.mk”.
Në ndeshjen tjetër të këtij grupi Dinamo Kievi me rezultatin 4:1 mundi Partizanin e Beogradit, që megjithatë do i gëzohet kalimit në fazën tjetër me 8 pikë të tubuara, që i renditën “bardhezinjtë” në pozitën e dytë me 5 pikë më pak se Dinamo Kievi i vendit të parë.