Vashat e Universitetit të Tetovës me fitoren e pastërt 0:3 në transfertën në Manastir ndaj Pelisterit kanë konfirmuar titullin e kampionit vjeshtorë në elitën e volejbollit vendor, njofton “infOSport.mk”.
Të përzgjedhurat e trajneres Laureta Abazi ishin superiore edhe në ndeshjen e javës së 8-të, duke shënuar fitore të pastërt 0:3, në sete 15:25, 16:25 dhe 22:25.
E kënaqur nga kjo fitore dhe nga gjithë ecuria e skuadrës gjatë këtij gjysmësezoni ka mbetur edhe trajnerja, Laureta Abazi, e cila pas përfundimit të ndeshjes në Manastir, enkas për “infOSport.mk”, tha: “Sigurisht se jam e kënaqur me atë që kemi arritur gjatë këtij gjysmësezoni. Suksesi erdhi si pasojë e punës ekipore të skuadrës, angazhimit dhe përkushtimit maksimal të vajzave. I uroj për këtë dhe shpresoj që në të njëjtin ritëm të vazhdojmë edhe gjatë gjysmsezonit të dytë në pranverë”.
Ishte kjo fitorja e 7-të nga gjithsej 8 ndeshje për volejbollistet e Universitetit të Tetovës, që në këtë mënyrë një javë para mbylljes së sezonit vjeshtor, sigurojnë pozitën e parë. Ndeshjen e fundit të këtij stinori vashat e UT-së e zhvillojnë në Tetovë kundër skuadrës së Planet.