Përfaqësuesja e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës për moshat U19 kanë njohur emrat e kundërshtarëve të tyre për fazën kualifikuese të Europianit të vitit 2020.
Sipas shortit të përcaktuar në Nion të Zvicrës, kombëtarja U-19 e Shqipërisë që drejtohet nga Erjon Bogdani do të bëjë pjesë në Grupin 8 së bashku me Ukrainën, Sllovakinë dhe Norvegjinë, teksa përfaqësuesja e Kosovës U19 do të luaj në Grupin 7, bashkë edhe me Austrinë, Hungarinë dhe Slloveninë.
Do të jenë vetëm dy vendet e para të secilit grup nga 13 gjithsej, që do të kualifikohen për në “Elite Round”, ku Shqipëria kësaj rradhe shpreson më shumë, duke pasur parasysh se sërish do të jetë nikoqir i turneut që do të zhvillohet tetorin e vitit 2018-të.
Ndeshjet e grupit të Shqipërisë do të zhvillohen më 10, 13 dhe 16 tetor të vitit të ardhshëm, ndërsa në muajt në vijim do të përcaktohen edhe stadiumet se ku do të luhen takimet.