Braziliani Lukas Fereira Kardozo i cili ditë më parë edhe përfundimisht u nda me Pelisterin, karrierën e tij ka vendosur ta vazhdojë në Superligën shqiptare, duke nënshkruar me Partizanin.
Sipas asaj që shkruan “Sport Ekspres”, kryeqytetasit prej kohësh kanë qenë në bisedime me skuadrën e Pelisterit dhe së fundmi është arritur edhe marrëveshja financiare, për të cilën ka folur edhe vetë futbollisti brazilian.
Ka qenë vetë Lukas që ka pranuar arritjen e marrëveshjes me të kuqtë nga Tirana duke u shprehur njëherit shumë i lumtur në lidhje me kalimin e tij te kjo skuadër. “Jam shumë i lumtur që kam arritur marrëveshjen me Partizanin. Kam qenë duke luajtur në Tiranë kundër Partizanit në një ndeshje miqësore. Më bënë përshtypje strukturat e ngritura të Partizanit. Mendoj se janë një skuadër e fortë”, – kishte deklaruar për “sportekspres” braziliani 23-vjeçar.
Më tej Lukas Fereira Kardoso ka folur edhe për objektivat që ka me Partizanin.
“Kam bërë histori në Maqedoni dhe të njëjtën gjë dua të bëj edhe te ekipi i Partizanit. Dua të bëj histori”, – kishte përfunduar deklaratën e tij sulmuesi i ri i Partizanit për “Sport Ekspres”.
Sezonin e kaluar Lukas me ekipin e Pelisterit fitoi Kupën e Maqedonisë, pasi në finalen e madhe të zhvilluar në Strumicë përmes ruletit të penaltive kishin mundur Shkëndijën e Tetovës.
BRAZILIANI LUKAS LARGOHET NGA PELISTERI, SHKËNDIJA E PRET KRAHËHAPUR
Ishte pikërisht edhe kjo skuadër që interesohej për shërbimet e brazilianit, i cili megjithatë vendosi që të pranojë ofertën e Partizanit.
Autori i gjashtë golave në 15 ndeshje të këtij sezoni në LPFM mund të aktivizohet në tre pozicione në repartin e sulmit, dhe pikërisht kjo ka bërë që trajneri i “të kuqve” nga Tirana, Sulejman Starova të insistojë në transferimin e tij.
Rikujtojmë Lukas te Pelisteri arriti verën e vitit 2016-të nga skuadra braziliane e CA Taguatinga, ndërsa që në sezonin e tij të parë me fanellën e skuadrës nga Manastiri, ai në 29 ndeshje realizoi 11 gola.