Katari mund të humbasë të drejtën e organizimit të Kupës së Botës në vitin 2022, raportojnë mediat në Meksikë. Një lajm ky i bujshëm, por që ende nuk ka ndonjë konfirmim zyrtar.
Nëse është e vërtetë, treshja SHBA-Kanada-Meksikë bëhet favorite për organizimin e Botërorit në fjalë.
Për momentin është veçse një thashetheme, por që mund të rezultojë në një lajm të bujshëm, me përmasa globale. Mbetet për t’u parë, por ndërkohë gazeta sportive meksikane “Record” shkruan se FIFA është shumë e shqetësuar për situatën gjeopolitike në Katar dhe po mendon alternativat.
Më 5 qershor Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jemeni, Bahreini dhe Egjipti mbyllën kufijtë dhe ndërprenë marrëdhëniet diplomatike me Katarin, që akuzohet se mbështet grupe terroriste.
Në këtë situatë tensioni, Kupa e Botës nuk ka arsye të zhvillohet në Katar, ku edhe kostoja e punimeve për stadiumet e rinj është kolosale dhe afatet e punimeve nuk janë respektuar.
Nëse nuk ka ndryshime për mirë, FIFA mund t’ia heqë Botërorin Katarit, duke ia kaluar SHBA-së, Kanadasë dhe Meksikës, që janë kandidatë për Botërorin e vitit 2026.