Lidhur me çmimin e më të mirit në futsalin vendor, çmim ky që padrejtësisht shkoi në duart e Aleksandar Gligorov nga rradhët e KFV Veles, ka reaguar edhe njëri prej anëtarëve më të lartë të bordit drejtues të Futsal Shkupit, Mensur Fazlija, njofton “infOSport.mk”.
Sipas tij gjithçka që është e lidhur me futbollin në palestër në Maqedoni, është e lidhur me Vasko Skenderovskin, njeriun e parë të skuadrës së Velesit.
“Ne e dimë se gjithë futsalin dhe gjithçka që është e lidhur me këtë sport ka të bëjë me Vasko Skenderovskin, njeriun që ne ia morrëm titullin kampion vitin e kaluar. Mbrëmë u vërtetua qartë se gjithçka që ka të bëjë me futsalin vendor ka vulë nga ai. Numri një i Velesit është i inatosur me ne pasi ia rrëmbyem titullin kampion, ndërsa një gjë e tillë u vërejtë edhe nga reagimet e tij që i bënte në ndeshjen finale tëKupës në Strumicë, kur i detyronte futbollistët e tij që të na godasin dhe të na fyejnë në baza nacionale” – u shpreh enkas për “infOSport.mk”, Mensur Fazlija.
Ky i fundit madje akuzoi Skenderovskin edhe për padrejtësitë që i bënë skuadrës së tyre edhe gjatë sezonit aktual, duke folur konkretisht për ndeshjen e ndërprerë mes Velesit dhe Futsal Shkupit në parketin kundërshtarë.
“U pa që edhe sivjet ai nuk ka ndërmend të ndaloj kur bëhet fjalë për Futsal Shkupin dhe gjithçka rreth Futsal Shkupit. Edhe pse neve në atë ndeshje ishim në rolin e mysafirit, ne morëm dënimin më të madh, ndërsa nikoqirët u dënuan me vetëm 5 ndeshje pa prezencën e publikut” – u shpreh Mensur Fazlija, i cili lidhur me çmimin e mbrëmshëm të ndarë për lojtarin e Velesit, tha se Zoti i turpëroi ata, pasi ai lartë sheh drejtësinë absolute, ndërsa e drejta do të ishte që lojtari i zbuluar në ekran të merrte çmimin, e ai ishte Erkan Seferi i Futsal Shkupit.