Mançester Siti i Pep Guardiolas nuk ka të ndalur në Premierligën angleze. “Citizens” me përmbysje mundën Uest Hamin me rezultatin 2:1. Mançester Siti gjatë pjesës së parë zhvilloi një lojë shumë të dobët duke e mbyllur në disavantazh, teksa në fundin e pjesës së parë Ogbona me kokë dërgoi topin në rrjetën e Ederson.
Në fraksionin e dytë të ndeshjes, më saktësisht në minutën e 57-të Otamendi pas disa mundësive të mira, arriti që të barazojë shifrat në “Etihad Stadium”.
Siti nuk ndalet me kaq dhe shënon edhe golin e avantazhit 7 minuta nga fundi i kohës së rregullt me spanjollin, David Silva, që e dërgon topin në rrjetë pas një prekje të lehtë të topit brenda zonës.
Mançester Siti me këtë fitore barazoi rekordin e Arsenalit me 13 fitore radhazi në kampionat të arritur nga ana e “topçinjëve” në sezonin 2001-02.
Ekip i Guardiolës pas 15 javësh mban vendin e parë me 43 pikë, 8 më shumë se Junajtedi i vendit të dytë, teksa Uest Hami me vetëm 10 pikë mbetet në pozitën e parafundit.