Xhiroja e 18-të dhe e fundit në për gjysmësezonin e parë të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë, do të sjellë derbin e kryeqytetit ndërmjet Shkupit dhe Vardarit. Të dyja këto skuadra u takuan të enjtën në kuadër të 1/8 së finales në Kupën e Maqedonisë, e cila ndeshje u mbyll me barazim 1:1, ndërsa të përzgjedhurit e Ardian Nuhiut edhe në sfidën e nesërme do të kërkojnë të nxjerrin rezultat pozitiv.
“Jemi duke luajtur lojë të hapur me të gjitha ekipet, nuk na intereson emri i kundërshtarit, cila do ekip të jetë ne jemi të përgatitur dhe të gatshëm të luajmë lojën tonë karakteristike. Sigurisht se shumë është me rëndësi që tani edhe sulmi është më aktiv dhe shënojmë më shpesh. Mendoj se Vardari nuk do ta ketë aspak lehtë ndaj nesh, ne këtë e treguam edhe në ndeshjen e Kupës së Maqedonisë ku ishim shumë më afër fitores. Secili futbollist që do ta fitojë besimin e trajnerit do të jep maksimumin nga vetja dhe do të kërkojmë me çdo kusht rezultat pozitiv nga kjo ndeshje, pasi që për ne secila pikë ka vlerë shumë të madhe”, është shprehur për sajtin zyrtar të FC Shkupit, mbrojtësi Sedat Berisha.
Ndeshja e parë në këtë sezon të LPFM-së e zhvilluar ndërmjet Shkupit dhe Vardarit është iu ka takuar këtyre të fundit që fituan me rezultat minimal 1:0. Ndeshja Shkupi-Vardari luhet nesër në stadiumin e Çairit, duke filluar nga ora 13:00.