Roma bënë detyrën ndaj SPAL (VIDEO)

Roma ka bërë detyrën e saj në përballjen e parë të javës së 15-të në “Serie A”, duke mundur ekipin e SPAL me rezultatin 3:1, njofton “infOSport.mk”.

Gjërat për “romakët” u bënë edhe më të thjeshta, pas përjashtimit me kartonë të kuq të futbollistit mysafir, Felipe, edhe atë vetëm pas 9 minutave lojë.

Falë epërsisë numerike në fushë ekipi i drejtuar nga Di Françesko nuk e kishte të vështirë të gjente rrjetën me anë të sulmuesit boshnjak, Edin Xheko në minutën e 19-të dhe Strotman në minutën e 32-të.

Golin e tretë për Romën e realizoi italiani, Pelegrini në fillimin e pjesës së dytë,  para se Viviani të ngushtonte diferencën në minutën e 55-të, kur pasi nuk doli të jetë i saktë nga pika e bardhë, fati deshi që topi i devijuar nga traverza sërish të kthehet tek ai dhe në ato momente të shënojë golin e nderit për skuadrën mysafire, që mbetet në kuotën e 10 pikëve dhe aktualisht renditet në pozitën e 18-të.

Në anën tjetër Roma pas kësaj fitore, numëron 34 pikë, duke u pozicionuar në vendin e katërt.

Në këto momente po zhvillohet edhe derbi ndeshja e javës midis Napolit dhe Juventusit në “Sao Paolo”, ku “Zonja e Vjetër” falë golit të shënuar nga Higuain në minutën e 13-të po avanson ndaj “napolitanëve” të Elseid Hysajt.

Leave a Reply